TË TJERËT

Më shumë se kuriozitet!
Uji i detit ishte më i ftohtë. Atë ditë i ndjeja stërpikjet më të thella në fytyrën time. Ishin orë muzgu ku ndjehej tmerrësisht flladi dhe jehona e indinjuar. Zhurma e valëve bëhet zë dhe siluetë për mua. Ndjeja nevojë për ty, drita ime, më shumë se dikur… ëndrrat që thurja çdo ditë e çdo natë ishin ngallmuar pas shtatë qiejve; ishte rrëmuja që mua më hodhi në qosh të jugut e ty, në skaj të veriut. Na mashtruan me sytë tanë. Aktruan në mënyrë enigmatike, duke triumfuar betejat e të pafajshmëve, duke na lënë që secili nga ne të skenojë vetë me veten. Vërtet të marrë paskan qenë, vërtet që zemrat e tyre s’kishin ndjerë ndonjëherë dashuri. S’paskan mohuar ndonjëherë jetën e vet për dikë, s’e paskan pozicionuar asnjëherë veten në altruizëm…
Të verbërit! Mundohen të shkatërrojnë mitin e dashurisë, posti që kanë mendojnë se është për t’u argëtuar. Kuadro me moral të dyshimtë më parafytyrohen në sy, zërat e tyre më ushtojnë në veshë, duke sjellë thashetheme gojë më gojë. Kjo çështje ishte një nyje që s’mund ta zgjidhja as unë, as pëllumbi im i plagosur. Çdo fjalë që më thonin më peshonte më rëndë se plumbi, më e idhët se helmi, më djegëse se yndyra përvëluese. Kisha hapur një derë dhe nuk dija si ta mbyllja, por as që mund të kaloja pragun e saj, e cila më shpinte në një apori të frikshme; e ndjeja veten në një kafaz të mbyllur, larg zogut tim. Larg dashurisë së dikurshme. Kaluan dhe tre muaj të tjerë. Ngjyrat e vjeshtës filluan të dukeshin para kohe. Zogjtë morën rrugën e tyre që në korrik. Njerëzit lindën para se të krijohen, të tjerët vdiqën pa u lindur fare. Gotat e dhimbjes, si qelqe të brishta e të thyera, copëtohen në mijëra copa të imëta e të pavlera. Çdo gjë u shndërrua në asgjë, përveç puhizës, e cila më përshëndet mes hapave të jetës që mbytën ditët e lumtura; mbytën lumturinë në një gotë ujë; më sollën vetminë e një oqeani të tërë; na molisën shpirtin; më shpërblyen me tonelata grushtash, gëzim dhe dhimbje bashkë, të mbytura në një det të thellë lotësh. Më detyruan me duart e mia t’ia dorëzoj veten time valëve të jetës, t’ia dhuroj peshqesh zemrën time të thyer, sytë e mi të plagosur dhe me shikim të pashpresë. M’i morën të gjitha, pos shpirtit të plagosur e të zemëruar (këtë do ta mbaj për vete, s’ia jap askujt). Do ta mbaj, meqë kam disa kujtime të përgjysmuara brenda, ca kujtime që lotojnë për kohën e kaluar, ndjejnë nostalgji për ato pak grushte të mbushura me çaste të bukura. Tani s’më ka mbetur gjë tjetër, pos të buzëqesh e t’ia hap krahët dhuratës që ma solli jeta surprizë. Jeta, që s’ishte gjë tjetër, pos iluzionit, hijes kalimtare, shtëpisë, mashtrimit, e ne ishim udhëtarë në pritje për të udhëtuar drejt ferrit, drejt një rruge përplot me gjemba. Jam e gatshme të shkoj deri në fund të botës për të arritur vrapin e lumturisë së dikurshme me yllin tim tokësor, me ëndrrat e viteve të shkuara, të kaloj nëntë rrathët e ferrit të Dantes për ta fituar përsëri zemrën e tij. Mund të rikthej sërish Luftën e Dytë Botërore për t’i vrarë e plagosë mu në zemër, ashtu si na plagosën edhe ata pa mëshirë, edhe pse s’do të kem të ngopur nga ajo plagosje, ngase kam mendimin se me reagimin e shpejtë të mjekut mund të shërohen shpejt, ndërsa ne, ne mbetëm me një lëngatë të pashëruar.

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP