IDIOT I DASHUR!

Llahtari të tmerrshme ndjej këtë ditë të dhimbshme që ma mundon kraharorin. Më shkakton lëndime në zemër; vallëzojnë dallgët e shpirtit si mbi oqeane të ngrira, dhembshurinë ma shtojnë.
Ndjej tik-takun e zemrës, e cila me rrahjen e saj dëshmon diçka të padrejtë, apo si të themi, ndarje të zemrave me dhunë, me dëshirën e tjerëve dhe me dhimbjen tonë, ndarje nga engjëlli im, nga kuptimi i jetës sime.
Ma shuajtën dritën e syve të mi, ma fikën jetën !... Pas gjithë ëndrrave të tmerrshme dhe netëve pa gjumë, pas gjithë atyre lëndimeve të zemrës, vendosët të më detyroni ta largoj edhe nga jeta ime, ta harroj!
Më plagosën aq thellë, saqë ulërima e zemrës sime edhe malet i shurdhoi, lotët e mi mbushën detra të tërë.
Më mori në qafë ajri i argjendtë i shtatorit, më vrau trishtimi i hirtë i asaj dite me diell të zymtë, i asaj dite me lumturi të trembur. Ishte dita që parandjeva diçka të dhimbshme.
Ndjeja humbjen e diçkaje.
Edhe në lëvizjen e gjethit dhe shushurimën e ujit, ndjeja ato tupana të krisur, ato këngë aq të trishta, që më çonin në çmendurinë e përjetshme.
Edhe në brohoritjen e fushës, dhe në jehonën e malit fishkëllen zëri i zymtë i tupanit.
Edhe në kohën e lindjeve të yjeve, dhe në vdekjen e tyre, edhe në qetësinë e zemrës dhe në heshtjen e saj, mes britmës së dhimbjes në këngën e saj, edhe në faqet e bukura të vajzërisë, rrjedhin lotët e zjarrtë të dashurisë.
Në thelb të zemrës kullon sot dhimbja, dhimbja e ankthit të kohës së hershme, e ankthit të fejesës së engjëllit tim.
Koha me dhëmbë i kafshoi të gjitha ato grimëçaste të pakta që i përjetova me yllin tim pranveror.
M’i shqyen kujtimet, ma vodhën të kaluarën e ndritshme dhe më shporrën në terr; ma plaçkitën lotin, ma fyen dashurinë në fund të shtatorit, ma shkatërruan dashurinë.
Nëpër dhimbjen e lotëve, duke qarë ankthet e zemrës, duke lënguar dashuritë e rrëmbyera, mundohem të zgjoj ndërgjegjen gjumashe dhe të dërrmuar të njerëzve të pandërgjegjshëm.
Zgjohu o ndërgjegje e tyre e fjetur, flakëro kandilin tënd të zbehtë e të bekuar!
Zgjohu dhe ti, dashuria ime e harruar nga koha e kaluar, nuk vëren dot kujtimet si gufojnë me ngjyrë të turbulluar? Zgjohuni dhe ju, shkaktarë që prishët dashurinë, këmbejeni budallallëkun tuaj që bëtë, këmbejeni, këmbejeni, por me mençuri.
Në kordat e zërit tim tregohej qartë dëshpërimi, edhe pse heshtje qyqare mbretëronte, por e bukura e asaj heshtjeje ishte se flisja për Yllin tim, për djalin e zemrës sime, ndjeja nostalgji për kohën e kaluar, duke mbetur të ndarë - ti në fund të botës me tjetrën, unë e humbur labirintesh të kujtimeve.
Ta dish sa keq më vjen që s’kam qenë me ty
në atë ditë të mrekullueshme, atë ditë kur tjetrës i urove fejesën dhe i vure unazën e mjerë e të përlotur, unazë që e ruaje për mua, unazë që moti ma ke premtuar.
Si s’pate pak turp ose mëshirë, pas gjithë asaj që ndodhi, të ma dërgosh atë letër, që më paralajmërove për fejesën tënde?! A mos vallë mendove se jam njeri pa ndjenja? Mendon se s’mbaj mend premtimet që m’i thoje? Keq, shumë keq, mbase netëve kur jeta tretet si vesë e të çon në anën tjetër të realitetit, në detet e panjohura të ëndrrave të harruara... Ti ngre kokën si pushtues bote. Ka me të zënë mallkimi i vajzërisë që ia more lumturinë, që ia nxive çupërinë, ia helmove të ardhmen, ia fike krenarinë.
Jeta qenka kaq e shkurtër! Më duket sikur dje hyra në një kopsht të bukur plot me lule, sot më nxjerrin me shkelma dhe nuk më lanë ta thith aromën e lules!
S’paska pasuri më të madhe njeriu se dertet. Po bota e larmishme e peshqve të Amazonës dhe përrenjtë që shkëlqejnë në diell, thua nuk kanë derte, nuk vuajnë si unë? Ata më duket se janë të gëzuar, si thua ti, engjëlli im? E di që më dëgjon, mos rri i strukur, sepse herë pas here dalloj siluetën tënde.
I ëmbli im, nuk duhej të ishim ndarë kurrë për
asnjë arsye. Kjo që ndodhi me ne ishte krim dhe të siguroj, se nuk do të ishim mërzitur kurrë!
A të kujtohen bredhjet tona anës liqenit? Po,
atje i bënim shëtitjet tona, pikërisht atje jepeshin premtimet dhe shpresat për ardhmërinë, atje flisnim fjalët më boshe të një dashurie të rreme, flisnim fjalë të mëdha dashurie, fjalë që dridhnin qiellin dhe tokën, fjalë që prekin çdo zemër, fjalë bindëse, ëndërruese.
A të kujtohen letrat dhe dhuratat që m’i ke dërguar? Në të gjitha ato letra ke vulosur betime të rrejshme dashurie, betime të një djaloshi kinse të dashuruar realisht me mua. Fantazia jote ishte lartësuar në piedestal të amshuar. I përsheshe ëndrrat në pelin, ëndrrat e një dashnoreje pak javëshe. Idiot i dashur!
E tash? Tash s’më quan të vdekur për gjithë atë kohë kur s’ke qenë afër meje! Nuk kam me çfarë të ngushëllohem, të qetësoj veten nga thikat e kohës së humbur, nga thikat që më shpojnë gjithandej... Le të më shpojnë, le të më plagosin, ndoshta mund t’i mbytin vitet, vitet e boshllëqeve të errësirës e të shpirtit të plagosur, sepse edhe unë duhet të vazhdoj të jem e gëzuar... Dhe për një grimcë kohe të mbetesh i harruar!

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP