ILUZION

Trap-trup, trap-trup... dëgjoj zhurmën e këpucëve që më jehon ndër veshë. Hija po më kalon nëpër sy. Picërova sytë, por nuk munda të shoh asgjë. Perdja e dendur e pemëve rreth lëndinës nuk m’i lejoi rrezet e fundit të diellit të hynin brenda, por aq sa munda të shoh, dallova disa shikime vrastare dhe sikur nga ata sy të bukur ngjyrë deti m’u duk se lexova një akuzë dashurie. Kafshova buzët për të përmbajtur ndonjë të qeshur ironike, që mund të shpërthejë papritur.
Një heshtje varri mbizotëroi atë çast.
Kujtimet e hershme u rikthyen prapë.
Në kopsht mbizotëronte e njëjta qetësi. Kishin heshtur edhe cicërimat e zogjve, edhe zhuzhima e gjinkallave. E vetmja zhurmë që kishte mbetur ishte tik-taku i zemrave tona, me të cilën dëshmonin se kishte arritur fundi i lumturisë sonë, fundi i dashurisë që s’do të kthehej më.
Dhe e njëjta qetësi mbizotëronte, pos trap-trup, trap-trupa, që tregonin afrimin e tij me mua. U afrua pranë meje, m’i përkdheli flokët, gjë që e bënte gjithmonë, mandej më përshpriti:
“Jeta ime, trëndafili ynë u tha, i mbetën vetëm gjembat. Ishte simboli i kohëzgjatjes së dashurisë sonë, të cilin e patëm bekuar si të tharë, vetëm në rast se vdisnim.
Kur shqiptoi emrin “jeta ime”, në zërin e tij kishte nota zemërimi. Më shtrëngoi duart dhe më pa për një kohë pa folur, por ndjeva se diç përpiqej të më thoshte. Diç të ngjashme me:
“A do të vish me mua, apo ndoshta dëshiron të

qëndrosh me prindërit e tu, që t’i shkatërruan ëndërrat”. Shikimi mbaroi me një të qeshur therëse, tallëse, që mandej përfundoi me një krizë lotësh… Zemra ime filloi të rrahë me shpejtësi, sikur e kuptoi, që pushtimi i saj vinte vetëm prej atij njeriu dhe se nuk dëshironte çlirimin prej tij, a thua se ishte një kriminel vrastar, i dënuar me burgim të përjetshëm. Por jo, ky ishte një pasion dashurie, që e pushton mendjen e dy të dashuruarve dhe për të cilët shkaktarë të ndarjes së tyre ishin të tjerët.
Shtrëngimi i duarve sa vinte e shtohej, ndërsa në duart e mia nuk kishte mbetur fuqi shtrëngimi, meqë pas pak çastesh e dija se do të jem e dënuar të jem me dikë tjetër, me të cilin nuk do të ëndërroja dhe se të gjithë lulet do të mbeten të thara. Thjesht do të jem me një tjetër, të imponuar, me një vrastar dashurie, me një shkatërrues ëndrrash, pra, me një njeri që nuk do të jetë as për një grimëkohë brenda zemrës sime.

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP