SERENATË DASHURIE

Nata filloi të xhirojë një film të ngadalësuar, një film erotik; erotizmi mbaroi shpejt pas ca puthjesh të lehta, përqafimesh të forta, shtrëngimesh duarsh, mosdashjesh për t’u ndarë, shikimesh të dhembshura sy më sy, e më së mbrami, me një buzëqeshje mjerane.
Iku, iku dhe unë mbeta vetëm. Mbeta vetëm me dashurinë e tij. Mbeta e vetme në atë errësirë të frikshme, të ftohtë e të dhimbshme. Në momente të tilla doja të rrija në heshtje, ngase kisha nevojë për të kujtuar çastin e lumtur, që e përjetova në vegullinë me sy hapur.
Mundohesha të kujtoja çastin, por më duket se të gjitha më ishin prishur, për shkak se edhe personazhi kryesor më nuk ishte.
Agu filloi të zbardhë, rrezet e diellit lëshuan krahët e, duke më gjetur mu tek ai vend, e shtangur, duke imagjinuar çastin, m’u kujtua një melodi e bukur, që aq shumë më pëlqente: “E dua atë që më do, do ta dua edhe pse të tjerët ma ndalojnë”. Nga melodia më kaplon faza e deleriumit dhe hidhërimit. Përse vallë e lashë
të më ikë? E dua dhe ai më do.
Pas hidhërimit ndjeja në vetvete nevojën për shtendosje shpirtërore. Vesha petkun e natës, meqenëse ishte ditë, dhe u bëra gati për një sy gjumë. Isha në gjumë të rëndë, sa edhe serenatën e dashurisë nuk mundesha ta dëgjoj. Ajo më vinte si përmes kllapisë. U zgjova. Pashë se ndjehesha si në fillimin e një filmi erotik. Ndryshimi këtu ishte se buzët dhe duart nuk i kishim të bashkuara.
E shtangur e shikoj se si qëndronte ai në fund të krevatit me ca lule të bardha e të përziera me trëndafila të kuq dhe me një buzëqeshje ledhatuese më përshpëriti: “Jeta ime, zgjohu, zgjohu, se të kam bërë një surprizë kësaj nate të bukur”. Duke dëgjuar serenatën romantike të asaj nate, që me vite e kisha kërkuar, rashë sërish në kllapinë që përshpëriste për një dashuri të parealizuar.

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP