RROTAT E JETËS

Me kokën mbështetur në kujtime, skenoja vetë me vete. Dirigjues kisha zemrën dhe mendjen, e cila bridhte kalldrëmeve të jetës, ashtu si ata lypsarët, që kërkojnë kafshatën e gojës nëpër labirinte shpresash boshe, të rraskapitur nga lodhja dhe uria, duke patur tokën për shtroje dhe qiellin për mbulojë, të cilët në heshtje citonin fjalët mjerim dhe nga sytë e tyre lexoje një grimë shprese, për një të ardhme më të mirë, por të mbështjellë me një pasiguri mendimi, ndërsa në anën tjetër, sheh zotërinjtë, të diplomuar me shkolla 8-vjeçare, që kënaqen nga pasuria dhe lumturia e tepruar, pa e ditur se lumturia e tepruar të sjell lodhje dhe pa menduar fare për ata të mjerë jashtë.
A kemi model tjetër për të parë më mirë botën e krimit? Është çudi ta mendosh se sa e ndritshme dhe njëkohësisht sa e zymtë mund të jetë jeta. Ndoshta kjo është vetëm për mua, por sa mendoj unë nuk e cënoj lumturinë, edhe pse s’kam qenë e kënaqur, e prapë s’kam qenë narcisiste ndaj jetës, s’jam cënuese, jo; s’kam qenë asnjëherë, po pasi më akuzojnë si cënuese lumturie, atëherë ai çuni që rri mbështetur te lisi, që kush e di çka parandjen nga e kaluara, nuk ndjen zbrazëtirë në zemër?
Ajo goca aty te bregu, e cila është zvarritur në mendime, s’ndjen mungesë për dikë? Po lokja që kam afër, nga fytyra e rrudhosur e së cilës vërehej qartë thelloma e tërësishme e rrotave të jetës? Po, po, me sa duket, të gjithë kanë mbështetur kokat mbi nënkresat e halleve dhe janë të mbuluar me batanije dhimbjesh.
Duke medituar në një heshtje, përderisa dhe po të flisje, heshtja ishte më e ëmbël se fjala, duke u kredhur në biseda të pazëshme, u futa ngrohtësisht e syhapur në pallatin e ëndrrave. Nisa të dialogoja, se asgjë nga kjo botë e çuditshme s’të bën të qeshësh nga thellësia e zemrës. Kjo ma bën shpirtin të molisur, sepse është një botë që të shpërblen me grushta, ngaqë peshorja e drejtësisë zhbalancohet. Asgjë më s’ka vlerë tani. A nuk është krim të veprohet kësisoj? Të mos e lejosh njeriun ta shijojë jetën sipas ëndrrës së vet, të ketë të drejtë të dojë atë që ka dëshirë, të jetë me atë lidhje, që kanë krijuar ëndrrat e përbashkëta?
Përse verbohet fati kështu? Përse na qëlloi ne të jemi të fajësuarit e dashurisë? Ne mbetëm me pranga. Duke na përçarë zemrat me dhunë, na bënë që secili prej nesh, të jetë me njerëz të padashur. Na bënë të jemi të revoltuar ndaj jetës, ndaj dashurisë, ngase lozin lëmshi i mendimeve në kokë ngatërrohet, duke hamendësuar: “Ajo nuk më deshi, prandaj hyri në mes i treti, ose…ose , ose…ose”.
Ekzistojnë plot paragjykime, plot hipoteza, plot gjëra, që gjatë jetës mbeten enigmatike prej shkaqesh dhe pasojash të ndryshme, duke mbetur qindra varfanjakë pa shtëpi, pa bukë, pa motiv, rrugëve, me shpresat për një të ardhme më të mirë. Në anën tjetër, dy të dashuruar: njëri në veri, tjetri në skaj të jugut, me ëndrra dhe dashuri të parealizuara. Të tjerët, duke u kënaqur me krimet dhe veprimet e pamenduara, që kanë vepruar në kurrizin e dikujt tjetër, pa e ndjerë veten, pa e pozicionuar asnjëherë veten, se si do të ishin ndjerë ata në histori të tilla, por çka do që të ndodhë, jeta duhet të jetohet mes gjithë këtij mishmashi. Sepse edhe trëndafilat janë të bukur, kanë erëmim tmerrësisht të këndshëm, të përmallshëm, por edhe ata janë të shtrënguar të lulëzojnë mes gjembash.

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP