PËR MUA DHE PËR TY

Me qepallat e rënduara nga gjumi, përsëri me një gjysmë buzëqeshjeje në buzë, shikoj natën që kishte pikturuar hënën gjysmake, në të cilën rrotulloheshin plot yje të gëzuar e të vuajtur. Ndjej se si diçka krejt papritur më ikën nga duart; ca herë fundosem në një det të thellë mendimesh, pastaj ngrihem, dal sërish, si diell. Ndjej se si gotat e kristalta thërrasin emrin e tij. Heshtje. Qetësi.Të lutem, orë e dashur, pushoje pak tik-takun, meqenëse dua të dëgjoj tani cakrimën e gotave. Dëgjon? Ndjen se si thërrasin emrin e tij, e thërrasin, ja, ndjej, po, po, atë e thërrasin. Po ku janë futur vallë ata veshë të shurdhët, që s’po i dëgjojnë?
Mos heshtni, pëlcisni, ju lutem, gotat e mia.
Bëja çmos që të mbaja gjallë atë bisedë pa skelet dhe rrija në heshtje me sytë e ngulur në boshllëk. Doja të vrisja çdo gjë që kishte ngjyrën e zhurmës.
Gjithëkund vinte era ndarje! Por vetëm plagën e zemrës nuk mund ta vrisja me armë; kjo plagë ishte peshqesh nga dashuria ime e parë, që më kishte pushtuar me tërë forcën e saj të ëmbël dhe të hidhur, e pajisur me disa ndjenja të çuditshme, të cilat gjer atëherë nuk i kisha provuar kurrë.
Më vërviste si pendë në erë dhe më shpinte nga të donte, ndërsa ti, i dashuri im, u ngatërrove dhe humbe nëpër labirinte zhgënjimesh, nëpër copëza harrimesh, kurse frika që të ka shpëtuar krijon vegime parandjenjash.
Tani këmbët e mia fluturojnë në të gjitha rrugët, duke luftuar që të arrijnë vrapin e zemrës tënde, por asnjë shenjë s’jam duke parë.
A mos vallë ishe engjëll dhe erdhe për ta burgosur dashurinë time, që nuk ia di as emrin, as vendin, më thuaj, mos e shndërro veten në djall.
Mos qëndro para fatit tonë i shurdhët, sepse ­jeta është e vetmja dramë që nuk përsëritet. Përgjigja e vërtetë ishte një fshehtësi e ndryrë në zemrën e tij, ajo fshehtësi mund të shprehej vetëm me lotë, por jo dhe me fjalë.
Shumë fshehtësi ka njeriu gjatë jetës, prandaj ato më të llahtarshmet thuhen vetëm me lotë, por përsëri lotët, edhe pse mund ta lehtësojnë shpirtin, nuk mund ta ndryshojnë realitetin. Njeriu që qan, mendoj se është frikacak, por mua s’më pëlqejnë frikacakët ballë ndjenjës së dashurisë. Nuk i dua…Më pëlqejnë trimat, që kanë forcë ndaj përbindëshave, ndaj hajnave, ndaj shkatërruesve të ëndrrave. Më pëlqen besnikëria dhe dashuria e pavdekshme.
E këtë, me keqardhje ta them, se ti nuk e pate; ti s’dite ta ruaje, por e shite mu si ato kartmonedhat që i shfrytëzon dhe në momentin kur e sheh se e ke kuletën plot, mundohesh të jesh më dorëlëshuar.Idiot i dashur! Ç’dobi ka të gënjejmë veten e kujtimet, kur unë të dua kaq shumë dhe e ndjej tmerrësisht mungesën tënde? O zemra e zemrës time! Ditët pa ty janë njëlloj, si malet e mbuluar me re.
O agim i ëmbël veror! Shpresat e mia i ngulfate përgjithmonë; s’më ka mbetur gjë tjetër, pos të marr qiriun në dorë dhe të zbres te liqeni, që njëjtë si unë, është mjaft i trazuar. Para erës të mbaj fjalimin tim të mbramë.
O zogu im i vogëlth, që rri në fole i mbyllur, nëse dëgjon për vdekjen time aspak mos u dëshpëro, madje as një qiri mos e ndiz, por hap menjëherë shishen e konjakut dhe pi tri gota rresht. Një për mua!
Një për ty!
Një për ne të dy!
Dhe aty, engjëlli im, përshpërit po deshe ca fjalë magjike.
Për mua!
Për ty!
Për ne të dy!

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP