NDARJA

Më duhet të qeshja e të bëja kinse isha e lumtur për ta mbytur përbrenda mërzinë që ma ndrydhte shpirtin, edhe pse e dija fare mirë që nuk kisha forcë të luftoja kundër vetvetes, por po prisja që në fund të tunelit të ketë një shkëndijë drite…!
Isha e etur për pak ndriçim në jetën time, edhe pse atë fat e pata njëherë në jetë, ndërsa ai tren kishte kohë që kishte ikur.
E di që më s’mund të qëndrosh në krahët e mi, por në zemrën time do të mbetesh gjithmonë.
E di që nuk mund të më thuash se më do, por në përplasjen e ngadalshme të buzëve tua vërej se thërret emrin tim. Pse vallë?
Ti a i ndjen klithjet e zemrës sime, me rrahjet e së cilës thërras emrin tënd? Ai më kot! E vërej se nga dhimbja sytë më ngazëllohen dhe rrudhat në ballë po më shtohen, por edhe kjo është kot: ëndrra jonë në duart e tjerëve u tret.
E di që edhe Ti vuan.
E di që nuk e pate të lehtë të më humbasësh...
mua që më pate të vetmen.
E di se u prishën ëndrrat tona.
E di se zemrat tona s’kanë mbetur të njëjtat. Jo…jo, nuk janë më ato që ishin; janë të copëtuara në pjesët më të vogla të tyre. Na janë thyer. Vdekja s’na duket asgjë pas ndarjes. Thonin se durimi është i hidhur, por fryti i tij është i ëmbël.
Më dukej vetja sikur qëndroja në majën e një gremine të lartë dhe se nuk kishte njeri që të më ngushëllonte. Nuk mendoja për asgjë tjetër, pos dhimbjes, duke i numëruar ditët e lumtura, që sot më ishin të zhytura në brenga, andaj më vjen shumë keq që prej teje, lulja ime, ndahem kokëulur, sepse Ti ke fytyrë të qeshur e zemër dinake. I vetmi që mund të të kuptojë se si je, është vetëm ai që vuan nga dashuria.
Shkatërrove sarajet në zemrat tona aq shumë, sa nuk do të dalë ndonjë mjeshtër për t’i radhitur përsëri tullat e saj, por përsëri e gjithë kjo plojë është e kotë. Andaj duhet të qëndrojë e qetë, si pulsi i të vdekurit, që nuk shpreson për asgjë në këtë botë.

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP