ISH TË DASHURIT

Rrija e mbështetur në pragun e dritares, gjysmë e thyer, e cila vende-vende ishte e mbuluar nga pluhuri dhe rrjeta e merimangës.
Sodisja liqenin, i cili atë pasdreke dremiste aq qetë, mu si një nuse e përrallave tona. Në një anë, përreth, ishte peisazh i bukur, në anën
tjetër - liqeni me valët e qeta.
Ndanë liqenit qëndronin dy portrete njerëzish. Në fillim mendoja se edhe ata vështronin dremitjen e liqenit, ngase ashtu të mahnitur qëndronin, por jo: ata ishin zhytur krejt ndryshe, edhe pse mosha e pleqërisë i kishte shtypur, por përsëri te ata ngjallej një jehonë, që ishte bashkimi i zemrave para shumë vitesh.
Ajo ditë ishte një ditë e veçantë për ta, ngaqë festonin 40-vjetorin e dashurisë së ëndërruar.
U takuan rastësisht pa shklapatje buzësh. Po kush vallë i thirri­­ në këtë ditë?
I thirrën kujtimet që i kishin mbuluar në atë rërë liqeni.
I thirri ndjenja e dashurisë së ëndërruar, pra i thirri ajo e amshueshmja në zemrat e tyre.
U afruan qetë, mu si liqeni i asaj dite, pa pasur
forcë asnjëri për të marrë hapin e parë; u shikuan një kohë të shtangur, pa folur, por sigurisht që mes tyre kishte një evokim kujtimesh. Zgjatën duart pa e vërejtur asnjëri ndjenjën e tij, duke u përqafuar aq fort, sa të dy ndjenë dhimbje trupore prej atij shtrëngimi, por asnjërit nuk i dukej gjë ajo dhimbje, para asaj që kishin kaluar më parë.
Qëndruan ashtu derisa pas pak i largoi sirena e rastësishme e automobilit matanë rrugës, me anë të së cilës vozitësi tregoi një lloj respekti për kalimtarin. Mandej plaku iu afrua e, duke i përkëdhelur flokët gjysmë të thinjura dhe fytyrën e rrudhosur, përshpëriti:
- Si thua ti, moj lulja ime, ç’momente përjetojmë?
Më thuaj se është e vërtetë.
Më thuaj që s’jam në ëndërr.
Më thuaj se nuk do të ketë ndarje më për ne të dy.
Më thuaj pse hesht, apo nuk jam më në zemrën tënde ai që isha atëherë... Po, e di, e di, sepse tani jam një plak.
Po ti, vallë, e di që unë nuk jam plakur nga mosha, po nga vitet e ndara me ty, lulja ime? Më thuaj, mos hesht.
Duke iu lutur që të mos pllakoste heshtja në fytyrën e saj, pikasi sytë e përlotur që tregonin edhe dhimbje, edhe gëzim, meqë kishte kaluar një kohë e gjatë pa u takuar. Ia fshiu lotët dhe si ngushëllim të tyre, i dhuroi disa puthje të lehta radhazi. Duke ia puthur me aq lehtësi dorën, shqoi unazën që ia kishte dhuruar dikur, si shenjë adhurimi për dashurinë e tyre. Zemrën e tij e mbuloi dëshpërimi dhe dhimbja, ngase rrugën e tyre të dashurisë e kishin prerë në mes.
Të tjerë ishin ata që ua prishën betimin e dashurisë. Të tjerët ishin shkatërruesit e ëndrrave. Keq, shumë keq... E vëren sa dhimbshëm është të thonë se janë fajtorë pse e duan njëri-tjetrin. Ata të tjerët menjëmend i plagosën, por jo dhe dashurinë e tyre.
Pas një pushimi filloi përsëri drama. Meqenëse mungonte skenari, artistët skenonin aq bukur, sa s’kishte nevojë aspak për të tjerë. Pra, ishte keq, ishte mëkat të kishte në ato momente ndërmjetësues. Pas pak ia ktheu se prej humbjes tënde, në mua nuk ngrohu asnjë diell, ashtu siç nuk ndriçoi më kurrë gjatë gjithë jetës sime, a thua se tërë jeta më shkoi në terr, pa asnjë ndriçim... Sepse më parë ndriçim i ditëve të mia ishe ti; sepse u dashurova me ëndrrat dhe iluzionet e asaj moshe. Të doja aq shumë, sa nuk mund të matesha me gjithësinë. Më kot. Në fund çka bëmë? Lejuam të tjerët të vendosin për zemrat tona. Tani s’më ka mbetur gjë tjetër, pos të largohem prej këtej... Erdha vetëm për të evokuar edhe një herë kujtimet e asaj kohe.
Duke dëgjuar ankimet e saj, atij i vajti mendja të ndryshojë planetin, ta shndërrojë tokën në qiell dhe qiellin në tokë. Dëshiroi ta shndërronte hënën në yje dhe yjet në hënë.
Nëse atëherë mendon se ta kam dhënë përçmimin tim, tani ke vetëm zemrën time. Sepse kohëve të fundit ndjenja ime është kthyer më kokëfortë dhe tash e kam kuptuar sa i verbër paskam qenë! E di që është vonë. E di që ka kaluar një kohë e gjatë, por të lutem, falma, ngase një grua nëse nuk di të falë, nuk di as të dashurojë.
Më fal për dhimbjet që t’i kam shkaktuar: ato kanë qenë edhe të miat.
Më fal për shpresën që ta kam shuar: ajo ka
qenë edhe e imja.
Më fal që ta shkatërrova atë kohë në momente kur dashuria na preu rrugën, sepse tani e kam kuptuar sa i marrë paskam qenë.
Më fal për zemrën që ta theva.
Më fal për të gjitha dhe të vazhdojmë përsëri, si atëherë, sepse kjo zemër derisa të vdesë do të rrahë për ty. Më thuaj vallë, a i vëren buzët e mia si më janë plasur? Këto i kam kujtim të asaj kohe, sepse s’kanë rreshtur emrin tënd duke përshpëritur. A i vëren tash sytë e mi, që i kanë mbuluar rrudhat? Ato nuk kanë reshtur së ëndërruari për ty. Nuk kishte natë që flija dhe të mos më shfaqeshe në ëndërr. Ti gjithmonë ke qenë e pranishme. Kishte raste që ndonjëherë më mungoje aq shumë, sa që dëshiroja të mbetesha gjithmonë ëndërrues, ngaqë ishte momenti i vetëm ku mund të qëndronim bashkë. Ishe prehëri i ëndrrave, në të cilin më afër qëndronte vdekja se sa shpresa.
Andaj të lutem, kthema lumturinë e kaluar ta shijoj edhe njëherë. Që prej momentit të largimit tënd, jeta ime ka qenë burg; unë kam qenë një i kallur thellë në burg të përjetshëm. E vëren se e kaluara ime e dhimbshme ka qenë një pus i pafund? Një ecje e pafuqishme, që nuk e di ku ndalet, e njëjtë, si ata shtegtarët e rraskapitur që kërkojnë imazhin rrugë më rrugë dhe nuk u ka mbetur forcë për të vazhduar më tej? Ndonjëherë jeta më duket shumë bovariste, sa nuk na jep atë që e kërkojmë, ose na lë të ëndërrojmë deri në agun e mëngjesit. Por më pas, kur zgjohemi, në fund të krevatit kemi surprizë zhgënjimin e pafund.
Sa të çuditshëm janë dollapët e jetës!
Mbi çfarë rrotash ecën bota? Lundron njeriu mbi valët e jetës, si në oqeane të pafund, pa e ditur se nga do ta çojnë! Mund të kalojë mbi gurë të çmuar, mbi stolira të fshehta nga ari, argjendi a brilanti, por mund të kalojë edhe mbi gjëra të papëlqyera, meqë ecën pa e ditur cakun e vet.
Andaj, nëqoftëse kam mbetur në zemrën tënde, të lutem, më thuaj se më do. Atëbotë qielli shprazi një rrebesh të rrëmbyeshëm. Bota bëri rrotullimin e dyfishtë, për shkak se dy të dashuruarit u ndanë çmendurisht.

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP