ËNDËRR DASHURIE

Kohë e bukur, rrezet e diellit kishin stërpikur çdo çati. Në çdo skaj vinte erëmim dashurie përkundrejtë së kaluarës, të cilën tash e përjetoj si një shekull të mbyllur në Guantanamo, ngase gjatë gjithë atyre viteve jeta ime ishte e trembur dhe e strukur, duke më vrarë mu në buzë të jetës. Kështu, e vetmja gjilpër për të qepur të çarën e zemrës sime ishte bashkimi i zemrave tona. Bashkimi i lumturisë së humbur.
Bashkimi me zogun tim të plagosur, meqë ai qe i pari që më fali çdo ëndërr dhe jetën e tij e flijoi për mua; flijoi të kaluarën dhe të ardhmen e tij, duke qëndruar besnik ndaj fatit, duke pritur me akullin mbi kokë sekondën e radhës, por me ndryshim nga fati që patëm, nuk ishte as për dashuri, as për urrejteje: ishte sa shurdh, po aq dhe memec, sa profesional, aq dhe amator, pa u prekur nga syri i përlotur.
Më le të hutuar. Ndjehesha bosh. Nuk shihja para vetes asnjë qëllim. Gëzimi ishte shndërruar në një kopsht trëndafilash, por para dyerve të ferrit. Dhe sikur e kap veten duke pyetur: përse vallë më zgjodhën bash mua, si pjesë e aventurës së kësaj jete? Pse më bënë të sfidoj veten dhe realitetin? Kush e pat atë të drejtë për të shkelur këmbëzbathur mbi plagët e mia?
Kujt ia pata borxh atë dhimbje dhe atë pamje që ia veshën fytyrës sime? Kush mundi të m’i fshijë kujtimet aq shpejt, duke m’i shndërruar në flatra zogjsh?
Tani, e lodhur nga jeta vendosa të rri anash, si ndërgjegje e dërrmuar dhe si një thes i mbushur me kujtime flutarake, duke pritur të më vijë një lule, por me ngjyrë të ndezur, - të më urojë festën time të përgjysmuar, meqë tash dua ta di: A më do akoma? Apo sillet sikur më ka dashur dikur. Dua që në këtë ditë të kuqe të jem dhe unë një çikë e gëzuar edhe pse as për një grimë kohe s’kam qenë ndonjëherë e dashuruar. Dua që për këtë Valentin të gëzoj edhe unë të kuqen rozë, ngase jam e lodhur nga e kaluara ime, e cila i ngjan një kënge të stërdëgjuar ku dhe tingulli më i thjeshtë të sjellë monotoni të plotë.
Sa do të zgjasin këto ditë? - e pyes veten, pa pritur përgjigje fare. Fati im i verbër, të lutem më thuaj, cila është tani Zhulieta e pëllumbit tim të dikurshëm? Më thuaj: në mes zemrave të tyre kishte ngjyrë të kuqe, ndjehej gëzim, kishte ngrohtësi puthjesh, të lutem më thuaj: ndjente mungesë për mua, apo isha e tëra një e harruar? Pyete, po munde, a ndjen farë malli? Për këtë, thuaj se unë dhe vendi ku shkelnim i
urojmë ngushëllim.
Nëse takohesh, thuaji se ia vodha lotin syrit dhe e shndërrova në më të çmuarin margaritar, se ia rrëmbeva lulen e zemrës dhe doja ta bëja në më të çmuarin thesar dhe se letrën e vetme që ma kishte dërguar dikur, tani e bëra mallëngjim dhe melankoli.
Nuk desha që lidhja jonë të mbetej në korniza shoqërore. Doja që gjithmonë të ishe i pranishëm në jetën time, por ama dyshimi dhe pabesia më mbërthente trupin dhe mendjen time, për shkak se gjithmonë kam dyshuar në sinqeritetin tënd, o dielli im i ftohtë me rreze të ngrira! Gjatë takimeve tona, ti djalë, kinse i trallisur nga dashuria për mua, fshihje sytë kur më thoje fjalë të mëdha dashurie. Kur më thoje asi fjalësh gjëmimtare, ulje kokën. I marrë paske qenë! Nuk mendove aspak për fjalët që i lamë jetime mes shkretëtirës përvëluese të heshtjes. Nuk ndjeve një copëz pendimi për atë vepër lënduese. Nuk të mundon nostalgjia për kohën e kaluar, apo ndoshta dëshiron të më vërtetosh se pasioni yt i vërtetë u përkiste fjalëve të zbrazëta.
Tani, nëse më lejon ti dhe ndërgjegjja jote, dua ta di sa të ka kushtuar llogaria. Sepse kam interes të plotë të ta shes shpirtin tim të plagosur, sepse je i vetmi, që mund të ma blejë, sepse nuk ka tregje të tjera të dashurisë që të bëjnë blerjen e shpirtrave të trazuar! Por, para se gjithash, më duhet të shikoj sytë e tu, dua të shoh në brendinë e tyre - a shndrit dielli im në ato bebëza! Që të mund të dallosh mundin e dashurisë sonë të parealizuar dhe njëkohësisht, të përkujtosh dhe qartësosh një gjë thelbësore: unë gjithmonë e kam pasur aq trimëri sa të dashuroj pa frikë, edhe pse e kam patur të qartë tradhtinë tënde... Por kot. Se nga gjithë ato beteja të fituara, bëre që me veten time të mos flas. Bëre që mes meje dhe vetes të ketë një dhimbë të mbështjellë me një hidhërim të pafalur, sepse të dhurova tërë atë pafundësi dashurie, gjithçka pata - virgjinë e pastër si
kristali. Të fala jetën dhe ëndrrat e mia.
Këtë që po të them mos e merr si një kritikë
të shëmtuar dhe nuk dua që ta marrësh si lëndim të shpirtit tënd, meqë s’më pëlqen që në jetën tënde të hedh meteorë; nuk dua që në zemrën tënde të ndez pishtarët e një ish të dashure, nuk dua që të nxis alarme në zemrën tënde, sepse tani të dua më pak se dje. S’më pëlqen të të hedh kritika, si ata guralecët që më pengojnë drejtimin përdrejt rrugës tënde. Nuk dëshiroj që sytë e tu të shndërrohen në detra lotësh, ngase çkado që të ndodhë, qoftë kur ndjen gëzim apo kur ndjen tmerrësisht dhimbje, dielli lind.
Ai nuk bën ndryshime në lindjen e vet!

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP