Dy fjalë përcjellëse për librin dhe autoren

Prozat e këtij libri të parë të prozatores së re, Ajnure Nurishi, nuk kanë pretendimin të habisin askënd. Vetë autorja është aq modeste, sa e ka ruajtur për vete habinë, duke e kthyer vështrimin tërësisht së brendshmi.
Diku, dikur, kam lexuar se pyjet, shkurret, formacionet bimore në përgjithësi, janë tepër të ndjeshme, saqë mjafton sëllitja e një tehu sëpate apo kose, për t’ia përcjellë gjithë valën e drithërimës krejt drurëve të pyllit, ose respektivisht, krejt bimëve të livadhit. Më vështrimin e kthyer së brendshmi, fundekreje në intimë, Ajnure Nurishi kundron, ndijon dhe na përcjell përmes këtyre prozave të shkurtra lirike gjithë drithërimën e një shpirti dhe psikike të tejngarkuar me mitet e dhimbjes, siç janë humbjet e mprehta dhe disfatat personale.
Prozat kanë një strukturë përsiatjeje të drejtpërdrejtë lirike, shpesh të njëjtësuar me monologun. Adresati që e ushqen përshkënditjen e dhimbjes dhe mbresës së kësaj dhimbe, jehon i gjallë në kujtesë, bëhet lëndë e vazhdueshme e një narracioni intim, të përafërt me shfrimet lirike nëpër ditare apo kuazi-epistolarë të tipit “letra të padërguara”.
Asnjë përpjekje nuk kemi në këto proza për ndonjë zgjerim tematike, bie fjala, shoqërore. Zëri i autores është derdhur në një pentagram që ajo e njeh mirë, që i përshtatet dhe i shkon. Janë vuajtjet e fermentuara të humbjes së nënës, të dashurisë së parë, që e ngjyrosin tragjikisht shijen e të jetuarit. Shpeshherë, refleksionet dhe përsiatjet marrin një timbër elegjiak, pa iu shmangur njëfarë patetike, sikundër është i pashmangshëm ballafaqimi me zhgënjimet e para, disfatat dhe angështinë e perspektivës. Por e gjitha sa thamë ka të bëjë me koordinatat psikologjike të këtyre prozave.
Në kuptimin e mirëfilltë letrar, ia vlen të theksohet në këto proza përpjekja për një origjinalitet, fokusim miniaturesk të lëndës, sipas një procedimi që është karakteristik për prozën poetike. Shpesh struktura grafike, tensioni i fjalive, përsëritjet dhe rimarrjet – pasazhe të tëra – krijojnë përshtypjen e poemave në prozë.
Ne nuk e dimë se si do të jetë evolucioni i mëtejshëm i shkrimit intim të autores së re.
E rëndësishme është se nota e saj është krejtësisht e besueshme, intonacioni është thellësisht individual, çka do të thotë, se po lind një zë autentik, që bazë ka përvojën e vet të përjetimit. Nëse narrativa e Ajnure Nurishit i kapërcen disa dobësi formale, siç janë krijimi i një skeleti dhe shtrati rrëfimor, atëherë në njësitë e këtyre prozave kemi qysh tani të paragarantuar disa elemente shumë të çmuara – penelatat lirike, etydin, atmosferën e heroit lirik dhe përsiatjen, të cilat janë karakteristikat e një shqise letrare, që orientohet me instinkt. Dhe instinkti artistik gjithmonë i ka paraprirë veprës origjinale, siç do ta ndeshni edhe në këto proza debutuese, ku gjithmonë një “Unë” i futur në krizë, përjeton intensivisht dhe projektohet tek një “Ti” shpërfillës
Agron TUFA
Tiranë, 19 shtator 2009

0 comments:

  © Blogger template 'TotuliPink' by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP